Ferrari po përgatitet të lançojë makinën e parë elektrike me një çmim prej më shumë se €500,000. Marka luksoze italiane, më e njohur për prodhimin e makinave sportive me benzinë dhe me motorë të zhurmshëm, po përgatitet të lançojë modelin e ri vitin e ardhshëm.
Do të jetë një nga më të shtrenjtat në linjën e markës, me çmimin kryesor që nuk përfshin shtesa që mund të shtojnë deri në 20% në koston përfundimtare, sipas Reuters.
Çmimi mesatar i shitjes së një Ferrari të ri aktualisht është rreth €350,000 . SF90 Spider është më i shtrenjti nga modelet ekzistuese që kushton $575,000 ndërsa seritë speciale SF90XX Stradale dhe SF90XX Spider kushtojnë edhe më shumë, përkatësisht $844,000 dhe $932,000.
Ferrari thuhet se po punon edhe për një model të dytë elektrik. Lëvizja do të shihet si besim i rritur i kompanisë në tregun e automjeteve elektrike luksoze (EV), në një kohë kur markat e tjera si Porsche dhe Aston Martin po tregohen më të kujdesshëm në këtë treg.
Në një përpjekje për të përsëritur “kënaqësinë e drejtimit” të makinave me benzinë, Ferrari ka patentuar teknologjinë që do të ruajë zhurmën e motorëve të saj edhe pas elektrifikimit. Sipas aplikimeve për patentim të bëra vitin e kaluar, teknologjia do të përforcojë tingujt nga motori elektrik dhe lëvizja, duke rregulluar volumin në raport me fuqinë që shpërndahet.
Deri në fund të kësaj dekade, prodhuesi i makinave ka thënë se dëshiron që automjetet elektrike (EV) të përbëjnë 40% të shitjeve së saj.