WhatsApp po teston një shërbim të ri që mund të zgjidhë një nga kufizimet e bisedave në grup, sic është mungesa e bisedave të vjetra për anëtarët e rinj. Shërbimi është vërejtur në një përditësim beta për iOS, të shpërndarë përmes programit TestFlight, dhe është raportuar nga WABetainfo. Edhe pse më herët ishte përmendur për versionin Android, duket se Meta synon ta sjellë këtë risi për një audiencë më të gjerë duke nisur nga iOS.
Veçoria e re do t’u mundësojë përdoruesve që i shtohen një grupi të shohin një pjesë të bisedave të mëparshme, në mënyrë që të kuptojnë më mirë qëllimin e grupit dhe kontekstin e diskutimeve. Ndryshe nga platforma si Telegram, WhatsApp aktualisht i lejon përdoruesit të lexojnë vetëm mesazhet e dërguara pasi janë bashkuar në grup.

Sipas raportimeve, anëtarët e rinj do të mund të marrin deri në 100 mesazhe të fundit, të dërguara brenda 14 ditëve të fundit. Këto mesazhe do të shfaqen me një ngjyrë të ndryshme, për t’u dalluar lehtësisht nga mesazhet e reja. Njëkohësisht, anëtarët ekzistues të grupit do të njoftohen se historiku i bisedës është ndarë me anëtarin e ri, ndërsa në chat do të shfaqet edhe një mesazh që tregon se kush e ka bërë këtë ndarje.
Opsioni për ndarjen e mesazheve do të shfaqet gjatë procesit të shtimit të një anëtari të ri. Përdoruesi do të ketë mundësinë të zgjedhë nëse do të ndajë deri në 100 mesazhe apo vetëm një pjesë të tyre. Megjithatë, shërbimi do të jetë i çaktivizuar si parazgjedhje dhe WhatsApp nuk do ta dërgojë automatikisht historikun. Aplikacioni do të shfaqë edhe paralajmërime kur përdoruesit përpiqen të ndajnë mesazhe, deri në tre herë, përpara se veprimi të konfirmohet drejtpërdrejt.
Aktualisht, shërbimi është i disponueshëm vetëm për përdoruesit beta të WhatsApp në iOS dhe nuk ka ende një datë zyrtare për lançimin e saj publik.

