Rrjeti social TikTok do të jetë sërish i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë, pas rreth një viti bllokimi, një vendim që ishte marrë nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2025, pak muaj pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, pas një konflikti që kishte nisur në këtë rrjet social.
Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë vendimin për rikthimin e aksesit të TikTok, i cili ishte bllokuar zyrtarisht që më 13 mars 2025. Në vendim thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me institucionet përkatëse rregullatore, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për heqjen e masave të ndërprerjes së aksesit ndaj platformës.
Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më herët se mbyllja e TikTok nuk ishte një masë e përhershme, por e përkohshme, deri në arritjen e një dakordësie me kompaninë që administron platformën. Sipas tij, qëllimi ishte vendosja e filtrave dhe mekanizmave mbrojtës, për të reduktuar përmbajtjen e dëmshme dhe për të minimizuar ndikimin e mundshëm negativ mbi shëndetin psiko-emocional të fëmijëve dhe të rinjve.

Vendimi parashikon gjithashtu shfuqizimin e aktit të mëparshëm të Këshillit të Ministrave, si dhe ngarkon disa institucione shtetërore, përfshirë ministritë e Arsimit, Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Shëndetësisë, për zbatimin e masave të reja dhe garantimin e sigurisë në mjedisin digjital.
Rikthimi i TikTok pritet të shoqërohet me monitorim më të fortë institucional, ndërsa debati mbi ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë mbetet ende i hapur.

