Nisma për të ndaluar përdorimin e rrjetit social TikTok nisi në shtete të mëdha si SHBA, Kanada, Franca apo institucionet e BE, dhe tashmë një gjë e tillë do të hyjë në fuqi dhe në institucionet publike të Kosovës.
Qeveria detyron tashmë të gjithë institucionet publike që administrojnë rrjetet shtetërore të komunikimit për të vendosur kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës.
Bardhyl Dobra, zëvëndësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, tregoi gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 28 qershor se ndalimi i TikTok do të aplikohet për të parandaluar kërcënimin kibernetik që kjo platformë paraqet.
“Ky vendim ka për synim të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës.” tregoi ai. “Po ashtu, të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij.”
Po ju a mendoni se një masë e tillë është e nevojshme të ndërmerret dhe në institucionet publike të Shqipërisë?