Bashkimi Evropian ka nisur një hetim të ri ndaj platformës Shein, duke e akuzuar se përdor dizajn “që krijon varësi” tek përdoruesit dhe për shkelje të tjera serioze të rregullave dixhitale. Në një njoftim zyrtar, Komisioni Evropian konfirmoi se hetimi po zhvillohet në kuadër të Digital Services Act (DSA), një ligj kyç që synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën e platformave online në BE.
Sipas Komisionit, Shein dyshohet se përdor elemente të dizajnit si pikët, shpërblime dhe stimuj për angazhim të vazhdueshëm, të cilat mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien e konsumatorëve. Këto praktika, sipas autoriteteve evropiane, krijojnë rrezik për sjellje varësie dhe bien ndesh me detyrimet që DSA vendos mbi platformat e mëdha online. Përveç kësaj, Komisioni do të hetojë mungesën e transparencës në sistemet e rekomandimit, duke shqyrtuar nëse përdoruesit informohen qartë se si funksionojnë algoritmet që u sugjerojnë produkte.

Një tjetër pikë kyçe e hetimit lidhet me shitjen e produkteve të paligjshme në tregun evropian. Autoritetet po analizojnë nëse Shein ka mekanizma të mjaftueshëm për të parandaluar shitjen e artikujve të ndaluar, përfshirë produkte shumë të ndjeshme si lodra seksuale me pamje fëmijërore. Ky shqetësim ka qenë prezent edhe më herët, pasi qeveria franceze kishte tentuar vitin e kaluar të pezullonte faqen e Shein në Francë.
Sipas raportimeve të Reuters, një gjykatë në Paris refuzoi pezullimin, por e detyroi kompaninë të vendoste verifikim moshe për produkte për të rritur dhe parashikoi gjoba në rast shkeljesh. Hetimi aktual nuk është rasti i parë për Shein në Evropë pasi në maj, BE e akuzoi kompaninë për zbritje të rreme, informacione mashtruese dhe shkelje të të drejtave të konsumatorëve.
Ndërkohë, Shein po përballet edhe me hetime jashtë Evropës, përfshirë në Korenë e Jugut për substanca toksike në produkte dhe në SHBA, ku autoritetet në Teksas, të udhëhequra nga Ken Paxton, po shqyrtojnë praktikat e punës dhe sigurinë e produkteve.

