Google më në fund po pranon se po grumbullon të dhënat tuaja ndërkohë që përdorni Google Chrome, edhe nëse përdorni modalitetin incognito. Kjo vjen pasi gjigandi i internetit ra dakord të paguante një gjobë prej $5 miliardë për të shmangur një proces gjyqësor në vitin 2020.
Në padi pretendohej se Google grumbulloi informacione si adresa e IP, të dhënat e pajisjes dhe madje edhe historia e kërkimit – pavarësisht se modaliteti i fshehtë duket sikur ofron një përvojë private të kërkimit.
Google pretendoi se i paralajmëroi përdoruesit për gjurmimin e aktivitetit të tyre në modalitetin incognito, në mënyrë që të hidhte poshtë padinë. Megjithatë, një gjykatës vendosi që Google nuk ua bëri të qartë atyre se po i gjurmonte dhe po mblidhte informacion. Dhe nëse përdoruesit nuk ishin të vetëdijshëm, ata nuk mund të ishin dakord me mbledhjen e të dhënave.
Tashmë Google ka përditësuar mbishkrimin që shfaqet në momentin që ju futeni në modalitetin incognito, duke theksuar se personat e tjerë që përdorin këtë pajisje nuk do të mund të shikojnë aktivitetin tuaj, megjithatë mënyra se si të dhënat grumbullohen nga website-t nuk ka ndryshuar.
Ky ndryshim është vënë re për momentin vetëm në Chrome Canary dhe pritet që të vijnë së shpejti dhe në versionin kryesor të Chrome.