Komisioni Evropian ka nisur një hetim ndaj Snapchat për të përcaktuar nëse platforma ka ekspozuar të miturit ndaj rreziqeve si ngacmimi seksual dhe rekrutimi për aktivitete kriminale, duke shkelur potencialisht ligjet e sigurisë digjitale të BE-së. Dyshimi kryesor është se të rritur mund të shtiren si përdorues të rinj për të kontaktuar fëmijë dhe për t’i shfrytëzuar ose përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Snapchat, i cili lejon ndarjen e fotove dhe videove që zhduken pas shikimit, kishte rreth 94.5 milionë përdorues në Evropë në vitin 2025. Sipas Komisionit, platforma mund të mos ketë zbatuar standardet e kërkuara nga Akti për Shërbimet Digjitale (DSA), veçanërisht në mbrojtjen e të miturve. Zyrtarja evropiane Henna Virkkunen theksoi se do të shqyrtohet në detaje përputhshmëria e Snapchat me këto rregulla.

Hetimi përqendrohet në disa fusha kryesore: verifikimi i moshës, rreziqet e ngacmimit seksual dhe rekrutimit kriminal, cilësimet fillestare të dobëta të llogarive, përhapja e informacionit për produkte të ndaluara dhe mënyrat e raportimit të përmbajtjeve të paligjshme. Një shqetësim i madh është se përdoruesit mund të kenë akses në informacione për blerjen e drogës, alkoolit apo produkteve si vape për shkak të moderimit të pamjaftueshëm.
Dhe në Shqipëri vihet re një keqpërdorim i gjithanshëm i Snapchat, sidomos nga përdoruesit e rinj, të cilët e shfrytëzojnë për të reklamuar përmbajtje jo etike në shumicën e rasteve, si dhe krijimin e situatave të rrezikshme që çojnë në konflikte. 1 vit më parë një adoleshent mbeti i vrarë pas një konflikti të nisur në rrjetin social Snapchat, dhe pse për këtë ngjarje u akuzua TikTok dhe u ndërmor një ndalim 1 vjeçar nga ana e qeverisë.
Komisioni gjithashtu vë në dyshim efektivitetin e mekanizmave të raportimit, duke sugjeruar se ato nuk janë të lehta për t’u përdorur dhe nuk japin udhëzime të qarta për përdoruesit.

