Në të vërtetë metaverse (një rrjet botësh virtuale që aksesohen përmes VR ose AR) është një koncept i vjetër, por investuesit në kompanitë e mëdha teknologjike me sa duket sapo kanë mësuar rreth tij dhe besojnë se ky do të jetë një ndryshim inovativ që do të ndryshojë jetët tona.
Kompania më e fundit që do t’i bashkohet rrjetit të botës virtuale do të jetë Bandai Namco, e cila ka bërë të ditur se do të investojë një shumë të madhe parash në projektin e saj për të krijuar “IP Metaverse”.
Përmes një prezantimi gjatë kësaj jave kompania prezantoi “IP Axis Strategy”, një plan i cili kërkon një investim prej $130 milionë për t’u plotësuar dhe që do të rrisë kompaninë në tregun botëror.
“Në këtë IP Metaverse, ne do të sjellim hapësirat virtuale që do të lejojnë konsumatorët të përdorin shërbime të ndryshme përmes IP axis, bashkë me frameworks që tregojnë aftësinë e Bandai Namco në bashkimin e produkteve fizike me elementët dixhitalë.” tregohet në prezantimin e kompanisë.
Deri më tani Bandai ka ndjekur disa strategji të mira të cilat i kanë siguruar asaj përfitime prej $800 milionë gjatë Q3 të vitit të kaluar.
IP Metaverse mund të marrë drejtime të ndryshme, si përshembull krijimi i platformave online ku fansat mund të ndërlidhen dhe të luajnë lojra të ndryshme, apo mund të jetë e bazuar në realitetin virtual nëse po planifikon të shfrytëzojë termin metaverse me gjithë saktësinë e saj.