Klubi i futbollit Inter Milan ka vendosur që të lançojë një platformë të sajën esports gjatë ditës së premte. Inagurimi i Inter Esports Cup do të bëhet gjatë eventit më të madh esports në Itali, Milan Games Week & Cartoomics.
Kjo është hera e dytë që ekipi Italian i futbollit merr pjesë në këtë eveniment dhe janë të vetmit ndër ekipet e Serie A që kanë një platformë të dedikuar për kampionatet esports, e cila sipas tyre do të “hapë mundësi të reja për të bashkuar fanbase-in e tyre dhe për të nisur bashkëpunimin me partnerë potencialë të ndryshëm”.
Megjithatë, kampionati i parë Inter Esports Cup do të jetë ekskluziv vetëm për rezidentët e qytetit të Milanos dhe provincave të saja. Raundet kualifikuese do të luhen online në FIFA 22 dhe finalja do të luhet në skenën kryesore të Milan Games Week në datën 12 nëntor. Kjo finale do të transmetohet gjithashtu online në kanalin e YouTube për të gjithë personat që kanë dëshirë ta ndjekin atë.
Inter do të mbështesë eventin me krijuesin e përmbajtjeve Giustyle dhe lojëtarin profesionist të esports, Fabio Marino si të ftuar specialë, të cilët do të bëjnë analizën e kësaj ndeshjeje bashkë me prezantuesin.
Fituesit të këtij kompeticioni do t’i ofrohet një kontratë me Bundled, një agjensi e cila ka ofruar mbështetjen e saj në këtë projekt.