Pas publikimit të një raportimi nga BBC që detajonte mënyrën se si trafikuesit e qenieve njerëzore po përdorin Facebook për të shitur viktima, Apple kërcënoi Facebook me heqjen e aplikacionit nga App Store.
Më pas Wall Street Journal fitoi akses në disa dokumenta të kompanisë që tregonin se Facebook kishte ngritur një ekip investigues për të goditur tregun e trafikimit të qenieve njerëzore në Lindjen e Mesme, organizatorët e të cilit përdorin shërbimet e Facebook.
Një memo e brendshme tregoi se Facebook ishte në dijeni të kësaj praktike dhe më parë. Një kërkues në Facebook shkruajti në një raportim në 2019 “A ishte i ditur ky problem nga Facebook para interesimit të BBC dhe Apple?”. Më poshtë lexohej përgjigjja: “Po. Në vitin 2018 ne kryem Understanding Exercise për të kuptuar se si robëria e brendshme shfaqej në platformë në format si rekrutimi dhe shfrytëzimi.”
Wall Street Journal tregon gjithashtu në raportimin e saj se moderatorët e përmbajtjeve në Facebook nuk mund t’i njohin të gjitha gjuhët e përdorura në platformë, duke e bërë më të vështirë monitorimin e përmbajtjeve në tregjet e huaja. Paaftësia për të njohur të gjitha gjuhët bëri të mundur që kartelet e drogës dhe trafikuesit e qenieve njerëzore të përdorin platformën për të lehtësuar punën e tyre.