Në eventin IAA Mobility nuk mund të mungonte kompania gjermane Volkswagen, e cila prezantoi një makinë të re elektrike më kompakte se makinat ekzistuese. Ajo pritet të lançohet në vitin 2025 me një çmim të përballueshëm prej €20,000.
“ID LIFE është vizioni ynë për gjeneratën e re të makinave tërësisht elektrike” tha CEO i Volkswagen, Ralf Brandstaetter gjatë eventit. “Kjo gjë tregon se ne po mundohemi t’I bëjmë sa më të aksesueshme këto makina për publikun e gjerë.”
ID LIFE, që për momentin është ende në fazën e konceptit, besohet të jetë një ndër mjetet kryesore të kompanisë që do të bëjë të mundur stabilizimin e Volkswagen si kompania lider në tregun e makinave tërësisht elektrike, duke mundur kështu dhe Tesla-n.
ID LIFE ka përmasa të ngjashme me modelin aktual Polo dhe do të ndërtohet nga divizioni i SEAT i cili bazohet në platformën EV të kompanisë mëmë. E veçanta e kësaj makine është se do të vijë bashkë me një konsolë për video-lojra dhe një projektor dhe ekran për të shfaqur filma.
“Klientët e së nesërmes nuk do të kenë vetëm nevojën për të lëvizur nga pika A në pikën B. ato do të jenë të interesuar në eksperiencën maksimale që makina mund të ofrojë” tha Brandstaetter.
Deri në vitin 2030 Volkswagen ka si qëllim të rrisë shitjen e makinave tërësisht elektrike deri në të paktën 70% në Evropë dhe të paktën deri në 50% në Amerikë dhe Kinë.