Gjatë javës së kaluar, lajmi se një dobësi në modemin Qualcomm kishte prekur pajisje Android të ndryshme bëri xhiron e rrjetit. Megjithatë për përdoruesit e pajisjeve Samsung ka një lajm të mirë. Me sa duket kjo kompani ka filluar të ofrojë një zgjidhje për sa i përket këtyre problemeve.
CheckPointResearch raportoi se nëpërmjet kësaj dobësie në modemët Qualcomm mund të arrihej aksesimi i të dhënave të përdoruesve, injektimi i kodeve në Android, madje mund të dëgjoheshin dhe bisedat telefonike të tyre. Samsung iu përgjigj menjëherë këtyre raportimeve duke cituar në update-in e May 2021 se një zgjidhje për këtë problem po vjen drejt përdoruesve.
Ky proçes ka filluar që nga muaji janar i 2021, dhe tani Samsung deklaron se shumica e pajisjeve janë imune tashmë nga ky problem. Gjithashtu kompania i bëri thirrje të gjithë përdoruesve që të instalojnë update-et që janë të aksesueshme në pajisjet e tyre.
Qualcomm ka konfirmuar se zgjidhja për këtë problem, CVE-2020-11292, ka qenë e gatshme që në dhjetor, dhe do të jetë pjesë e security patch June 2021 në shumicën e smartphone-ve Android.