Shumë kompani që prodhojnë produkte teknologjie patën një vit plot me probleme, mirëpo prodhuesi i proçesorëve MediaTek regjistroi vitin më të mirë në historinë e tij.
Sipas raportimeve MediaTek shiti 351.8 milionë proçesorë për smartphone në 2020, një rritje prej 113.8 milionë njësish. Tani kjo kompani përbën 27.2% të tregut krahasuar me 17.2% në 2019. Lajmi se MediaTek ka kaluar Qualcomm në numrin e njësive të shitura erdhi nga Counterpoint. Sipas Omidia, ky sukses u arrit për shkak se MediaTek është i përqëndruar në prodhimin e proçesorëve entry-level ose mid-range.
Një tjetër arsye është rritja eksplozive e Xiaomi në 2020, i cili ishte blerësi më i madh i MediaTek në 2020 duke shitur rreth 223% më shumë smartphone që përmbanin këtë proçesor. Blerësi i dytë më i madh ishte Oppo, i cili shiti rreth 55.3 milionë pajisje me proçesorë MediaTek krahasuar me 46.3 milionë në 2019. Samsung gjithashtu shënoi një rritje në shitjen e smartphone-ve që përdorin çipin e kësaj kompanie me 250%. Pritet që numri i proçesorëve të shitur të rritet pasi dhe Huawei do të fillojë të përdorë këto pajisje.