Nuk e dimë çfarë lloj shtrigërie ka përdorur, por Samsung ia ka dalë të krijojë një sensor 200MP e për çudinë e të gjithëve i pari smartphone që do e përdorë nuk është një Galaxy.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në Weibo pretendohet se ZTE Axon 30 Pro 5G do të jetë i pari që do të shënojë me krenari 200MP në krah të specifikimeve të kamerës. Ky sensor i ri do të quhet S5KGND, ai do të jetë 1/1.37-inch dhe nëpërmjet pixel bining do të arrijë të bashkojë pikselat deri në 4×4. Ndryshe nga sensori 108MP i cili arrin deri në 3×3. Sensori i ri do të sjellë dy raporte bining, 4 me 1 e cila do të sjellë fotografi 50MP ose 16 me 1 çka do të rezultojë në foto 12MP.
Përflitet se mund të jepet mundësia edhe për regjistrim video 16K, por asnjë proçesor i momentit nuk e përballon dot atë. Ndoshta Samsung është duke punuar edhe për një çip të tillë. Ndoshta të njëjtin sensor mund ta shohim edhe tek Galaxy Note i radhës apo Galaxy Z Fold 3.
Ekziston mundësia që ky produkt të vonojë goxha. ZTE sapo bëri globale shitjen e Axon 20 Pro ndaj mbetemi në pritje me goxha interes.