Fiks si të ketë dalë nga ndonjë skenar i filmave fanta-shkencë, patenta më e fundit e Microsoft do të sjellë të vdekurit në jetë, të paktën personalitetin e tyre.
Duke mbledhur të dhëna nga dikush, postimet në rrjete sociale, mesazhet, materiale zanore, informacione të sjelljes etj, teknologjia e tyre do të krijojë një bot për të ndërvepruar.
Në fakt patenta nuk ka për qëllim vetëm ata që nuk janë në jetë më, por këdo që ka mjaftueshëm të dhëna për t’u mbledhur ajo do të arrijë ta klonojë digjitalisht.
Reagimi i komunitetit ka qenë i përzjerë, duke e lidhur direkt me episodin “Be Right Back” të serialit Black Mirror, ku një i dashuri i protagonistes ndahet nga jeta dhe një kompani arrin të riprodhojë një manekin të ngjashëm me të si fizikisht poashtu edhe në karakter. Një klon sidoqoftë i paaftë për të kopjuar gamën emocionale të dikujt.
Patenta është regjistruar që në 2017 por ka marrë aprovim vetëm tani në dhjetorin që lamë pas. Microsoft thotë se teknologjia mund të përdoret për të krijuar një version digjital të kujtdo, personave të famshëm etj.