Pandemia dhe distancimi social që Covid19 solli e vuri botën digjitale padyshim në krahun e atyre që përfituan prej saj. Shembull konkret për këtë është Apple dhe dyqani i saj i aplikacioneve i cili gjatë këtij viti ka shënuar shifra rekord në blerje dhe fitime.
$64 bilion të ardhura i ka sjellë App Store kompanisë vetëm në një vit. Një rritje kolosale nga 2019 në 2020 me 28% më shumë shpenzime krahasuar me 3.1% të rritjes nga 2018 në 2019.
Teksa ishim të mbyllur në shtëpi kishim më shumë arsye për t’u marrë me lojra e plane fitnesi. E ndoshta të shtyrë nga një ndenjë ekzistencializmi besuam se paratë na shërbejnë më shumë për të na zbavitur, qoftë kjo edhe në shuma të vogla në lojën e preferuar a platformën video.
Apple merr 30% nga gati çdo transaksion që ndodh në aplikacionet që dalin nga App Store. Politikë kjo e ndeshur me mjaft pakënaqësi gjatë po të njëjtit vit. Aq sa Epic Games filloi një luftë ligjore nga e cila doli më shumë e humbur se e fituar. Por të paktën ndryshoi për mirë për një pjesë të komunitetit, pasi tashmë Apple merr vetëm 15% nga zhvilluesit që bëjnë më pak se $1 milion në vit. E sidoqoftë as kjo nuk do i ndryshojë gjë pasi pjesa më e madhe e fitimeve kompanisë i vjen nga zhvilluesit kryesorë të platformës.
Një gjë është e pakundërshtueshme, ky vit që lamë pas i dha shumë para qoftë Apple qoftë zhvilluesve të saj të cilët mos harrojmë që sidoqoftë morën 70% tjetër.