Një telefon në dorën e një fëmije, është zgjidhje fantastike për secilin prind që do pak minuta qetësi, e megjithatë dëmi që mund të bëjë është goxha i madh. Dhe nuk e kemi fjalën për stereotipin e zakonshëm të rritjes së një fëmije, por për dëmin konkret që mund të të kushtojë mijra dollarë.
Një nënë nga Wilton, Connecticut, vuri re se nga llogaria e saj bankare po tërhiqeshin herë pas here shuma të konsiderueshme në mënyrë misterioze. Me të lajmëruar bankën e saj rezultoi se paratë tërhiqeshin nga Apple, e shuma totale për tu paguar ishte $16,000. Para të gjitha të shpenzuara nga djali i saj 6 vjeçar, i cili i ishte lëshuar blerjeve pa kriter in-app.
Por në çfarë mund të shpenzojë kaq shumë një djalë i fillores në një aplikacion digjital. Unaza, për Sonic Forces. Po, po djali i vogël mesa duket ka pasur nevojë të kalojë nivele dhe me të zbuluar kodet e hileve, është sulur të bëhet kampion i padiskutueshëm i lojës. Edhe ne fusnim kode në lojra por asnjëri prej tyre nuk na ka kushtuar sa një CLS 350 e 2012.
Mamaja sigurisht që ka bërë kallëzim pranë Apple, por për fatin e saj të keq polica e 60 ditëshit të kthimit të gjendjes kishte kaluar. Ajo ngre akuza mbi kompaninë, me pretendimin se këto blerje duhet të kërkojnë një kod përpara se të ekzekutohen. Na vjen keq për incidentin serioz, i cili do t’i vonojë edhe pagesën e kredisë së shtëpisë, sipas nënës, por “krimineli” me shumë mundësi ka qenë në dijeni të kodit pasi, Apple Store e kërkon gjithnjë fjalëkalimin sidomos kur bëhet fjalë për shpenzime monetare.