Që nga hera e parë kur u njohëm me të e deri më sot faqja kryesore e Instagram ka pësuar vetëm ndërhyrje të vogla duke ruajtur pamjen dhe organizimin klasik.
Bëhu gati sepse mesa duket ka ardhur koha për ndryshime rrënjësore pasi zyrtarë nga kompania kanë njoftuar se Reels dhe shopping do të marrin butonat e tyre të dedikuar, duke zëvendësuar dy të tjerë shumë të dashur për përdoruesin.
Adam Mosseri kreu i Instagram thotë se ata përpiqen të jenë të kujdesshëm me ndryshimet pasi nuk duan të largojnë askënd që është fans i eksperiencës bazë të rrjetit social. Por nga ana tjetër janë të qartë se mënyra si ne ndërveprojmë në rrjet përparon dita ditës.
E për të mos ngelur prapa, butoni create nga ku ne ngarkonim foto e video, do të zëvendësohet nga Reels. Fakti që kompania e bën këtë lëvizje fare pak kohë pas lançimit, tregon shkallën e lartë të suksesit të tij.
Nga ana tjetër fakti që IGTV i cili daton prej kohësh nuk e ka një buton të vetin, tregon mungesën e interesit.
Butoni i pëlqimeve së bashku me create do të zhvendosen në pjesën e sipërme djathtas, duke iu bashkuar mesazheve.
Një buton i dedikuar shoppingut nuk na habit aspak, pasi rrjeti social ka kohë që punon për të sjellë portalin e vetë të shitjeve e blerjeve. Të bësh biznes në IG bëhet kështu edhe më e lehtë, por edhe më e stimuluar.