Si me çdo gjeneratë të re edhe iPhone 12 pritet të sjellë një sërë avancimesh në familje. Këtë vit pritet të vijë 5G, proçesori i ri A14 Bionic, kamera më të fuqishme etj. Por një pikë kyçe e këtij produkte mbetet karikimi dhe këtu duket se kokfortësia e Apple do të vazhdojë ta penalizojë.
Ndërsa bota dhe një pjesë e produkteve Apple përqafojnë standartin USB-C, edhe ky iPhone duket se do të mbetet me Lightning Cable si kabull karikimi. Sigurisht tashmë e kemi të qartë se nuk do të ketë një adaptor në kuti, kjo për të ulur ndotjen nga produktet elektronike, por një kabull i ri do të jetë i përfshirë. Dhe nga pamjet e para ky kabull do të ketë njërën dalje USB-C për të blerë një adaptor sipas dëshirës, por krahu tjetër do të vazhdojë të jetë Lightning.
Nga eksperienca e përdoruesve, kjo ka qenë gjithmonë një nga pikat e dobëta të produktit.
Sa e sa herë na është dashur të ndërrojmë kabull për një Apple?
Muajt e parë mund të shkojnë mirë por menjëherë më pas ai lidhës fillon dhe jep probleme, nga lidhjet me aparatet por kryesisht tek karikimi.
Ndodh shpesh që ta kesh lënë në karikim gjithë natën iPhonin tënd dhe në mëngjes ta gjesh gati të fikur.
Apple bën para nga aksesorë me hyrje lightning, siç janë kufjet. Por iPad Pro, iPad Air dhe MacBook Pro kanë kaluar tashmë tek USB-C sepse garancia dhe durabiliteti i kësaj teknologjie ka rezultuar vërtetë e kënaqshme. Edhe iPhone duhet të bëjë të njëjtën gjë, kështu do të jetë edhe më e lehtë të gjesh karikues në raste emergjente.