PlayStation 5 i shumëpritur, ndryshe nga Xbox Series X, po i ul letrat në tavolinë hap pas hapi, në një fushatë marketingu goxha efektive.
Pasi disa krijues luajtën disa loja në të, tani Sony ka vendosur të na tregojë nga çfarë është i përbërë konsolja e gjeneratës së fundit.
Autopsia e PS5 u performua nga Yasuho Ootori, zv.President i Departamentit të Designit Hardware-ik të Sony Interactive Entertainment. Teksa hap versionin me Blu-Ray Disc, ai tregon edhe portat e disponueshme. Një USB-A dhe një C në pjesën e përparme she dy të tjera USB-A prapa së bashku me Ethernet, dhe HDMI.
Ai demonstron sa e thjeshtë është ta kalosh aparatin nga vertikalisht në horizontalisht me mbajtësen që ka vetëm një gozhdë. Të dyja kasat anësore mund të hiqen fare lehtë. Filtra kundër pluhurit janë shtuar për ta bërë pastrimin e konsoles më të lehtë.
Heqja e ventilatorëve nuk duket e vështirë poashtu, çka lejon pastrim edhe më të thellë duke garantuar punë më të qetë e jetgjatësi më të madhe. Mënyra si është projektuar brendësia e aparatit lejon më shumë hapsirë duke e mbajtur ambientin më të ftohtë, e për më tepër Sony ka përdorur një “mekanizëm me ftohje të lëngshme metali” për proçesorin AMD. Sa efektive do të jetë kjo duhet të presim.
Në pamje të parë duket se kemi një super mjet përpara syve, urojmë që edhe në realitet të jetë ashtu, pritshmëritë janë të larta.