Pas shumë muajsh në beta Android 11 më në fund është këtu dhe për habinë e të gjithëve jo vetëm për smartphonët Pixel, nga dita e sotme sistemin operativ mund ta instalojnë edhe disa OnePlus, Xiaomi, Oppo dhe Realme.
Nga Pixel 2 deri tek 4A të gjithë munden ta shkarkojnë nga sot. OnePlus ka konfirmuar se OnePlus 8 dhe 8 Pro do t’a marrin sot në Amerikën e Veriut, Europë dhe Indi, poashtu edhe Oppo X2 dhe Reno 2.
Android 11 sjell një sërë opsionesh të reja, por në përgjithësi përqëndrohet më pak tek shtimi i funksioneve të reja dhe më shumë tek menaxhimi më i lehtë i shumë gjërave që smartphoni yt mund të bëjë. Ndër përditësimet më të rëndësishme është seksioni i lajmërimeve, kontrollet e reja për median, ndërfaqje e re për screenshotet, leje më të shtrënguara për aplikacionet etj.
Por pavarsisht se një pjesë e madhe smartphonësh do t’a marrin sistemin e ri që tani, një sërë opsionesh ngelen ekskluzivitet i Pixel, si opsioni i ndarjes së vendndodhjes në AR, Smart Reply në Gboard dhe skedarët e riemëruar në mënyrë inteligjente.