Azia nuk rresht së surprizuari me koncepte të reja, qofshin këto edhe vetëm në teori.
Krejt sikur në një film spiunazhi akademikët e Universitetit Kombëtar të Singaporit kanë publikuar një sistem i cili duke shfrytëzuar audion e regjistruar të një çelësi që çkyç bravën, mund të përcaktojë formën, përmasën dhe strukturën e dhëmbëzave, gjothçka duhet për ta riprodhuar një kopje të atij çelësi.
SpiKey është aplikacioni i aftë për të analizuar materialet audio, deklarohet se nga një databazë me 330,000 mijë shembuj ai arrin të nxjerrë 3 kandidatë potencialë.
Sistemi funksionon duke analizuar kohën midis klikeve që zhvillohen teksa dhëmbët e çelësit veprojnë me gjilpërat e bravës, duke kuptuar modelin unik të tij.
Versioni virtual më pas mund të printohet 3D në një kopje konkrete.
Sistemi funksionon sidoqoftë nëse sulmuesi ka një informacion bazë të llojit të bravës dhe çelësit, çka mund të kuptohet me një të parë së jashtmi. Ky lloj sistemi mund të bjerë në duart e gabuara fare lehtë, ndaj si pjesë e studimit, skuadra po përpiqet të shohë nëse tingujt mund të merren nga aplikacione keqdashëse të instaluara në smartphone ose smartwatch.
Pasojat do të ishin fatale, por të qenit në dijeni të ekzistencës së këtyre sistemeve duhet të na bëjë më vigjilentë.