Rikthehemi tek ata të cilët pandenisë ia panë benefitet. Industria e gaming padyshim është në këtë listë, vërtetuar tashmë nga shifra konkrete.
Data e lançimit të PS5 ende nuk është e qartë, ama sipas deklaratave nuk duhet të jemi shumë larg. Sony ama duket se i ka marrë masat, madje edhe 50% më shumë. Fillimisht kompania planifikonte të prodhonte 6 milion aparate në 2020, por redaksia japoneze Nikkei thotë se tashmë ai numër është rritur edhe me gjysmën duke e çuar pretendimin për 9 milion të tilla.
Reagimi i fansave me zbulimin e konsoles ishte kryesisht pozitiv, si në pamje ashtu edhe në specifika, por do të ishte naive të mendonim se ky është i vetmi faktor i llogaritur nga një gjigand si Sony. Rritja e porosisë vjen edhe si rrjedhojë e rritjes së interesit për zbavitje brenda shtëpisë, në kohë pandemie, tek e fundit ende nuk e dimë deri kur do të zgjasë distancimi social.
Nëse kompania do të shiste cilëndo shifër afër pretendimeve do të shënonte goxha rritje krahasuar me PS4 e cila u lançua në nëntor 2013 dhe kish shitur të paktën 4.2 milion njësi në fund të muajit pasardhës.
Interesin për zbavitje brenda shtëpisë e vërteton edhe Facebook teksa rritet edhe prodhimi i syzeve Oculus, me të paktën 2 milion njësi vetëm për gjysmën e dytë të 2020. Edhe kjo do të shënonte të paktën 50% rritje krahasuar me 2019.
Në kushtet e pandemisë tregu i video-lojrave rezultoi i vështirë për të plotësuar kërkesat e blerësve, ndaj nuk vjen si surprizë që kompanitë të fillojnë të mbushin magazinat gati për sezonet e ardhshme të blerjeve.