Një studim i ri nga studiues të universiteteve franceze dhe italiane ngre alarmin për një efekt të papritur të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme. Përdoruesit po humbasin aftësinë për të pranuar kur nuk e dinë përgjigjen e një pyetjeje. Edhe më shqetësues është fakti se, ndërsa besimi në përgjigjet e tyre rritet, saktësia bie ndjeshëm.
Studiuesit zbuluan se, pa ndihmën e AI, rreth 44% e pjesëmarrësve zgjidhnin të përgjigjeshin me “nuk e di”. Kur kishin në dispozicion një chatbot, kjo përqindje ra në vetëm 3%.
Në të njëjtën kohë, saktësia e përgjigjeve zbriti nga 27% në vetëm 9%, ndërsa niveli i vetëbesimit u rrit nga 30% në 76%.
Për eksperimentin u përdorën pyetje të zgjedhura enkas për të qenë të vështira për modelet e AI, si detaje vizuale nga filma, ku chatbot-i gabonte shpesh. Në disa raste, pjesëmarrës që do të kishin dhënë përgjigjen e saktë me njohuritë e tyre vendosën t’i besonin AI dhe përfunduan duke gabuar.

Edhe kur studiuesit ofruan shpërblime financiare për përgjigje të sakta, rezultatet u përmirësuan vetëm pjesërisht. Tani 8% e personave u përgjigjën me “nuk e di”, ndërsa saktësia arriti 16%, ende shumë larg rezultateve të atyre që nuk përdorën fare inteligjencën artificiale.
Fenomeni lidhet me atë që studiues të tjerë e kanë quajtur “dorëzim kognitiv”, ku njerëzit pranojnë përgjigjet e AI pa i vënë në dyshim, edhe kur ato janë të gabuara. Sipas autorëve të studimit, problemi nuk është vetëm besimi i tepruar tek AI, por fakti që prania e saj zbeh aftësinë për të vlerësuar kufijtë e njohurive personale.
Ekspertët shprehin shqetësim veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët po rriten duke përdorur sisteme që japin gjithmonë një përgjigje me siguri të lartë, edhe kur ajo nuk është e saktë. Kjo, sipas tyre, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e të menduarit kritik dhe aftësinë për të analizuar informacionin në mënyrë të pavarur.

