HMD ka prezantuar një seri të re telefonësh klasikë Nokia që ruajnë dizajnin nostalgjik të modeleve “me butona“, por shtojnë një buton të dedikuar për inteligjencën artificiale. Modelet e reja si Nokia 200 4G, 210 4G, 215 4G (2nd Edition) dhe 235 4G (2nd Edition) synojnë të kombinojnë thjeshtësinë e telefonëve tradicionalë me disa funksione bazë të epokës së AI.

Ndryshe nga smartphone-t, këto pajisje nuk mbështesin aplikacione klasike. Ato ofrojnë vetëm një browser të thjeshtë, ndërsa risia kryesore është asistenti me AI i integruar në qendër të tastierës, i zhvilluar nga kompania kineze Sikey AI. Përmes komandave zanore, përdoruesit mund të kryejnë veprime të zakonshme si telefonata, vendosja e alarmit apo ndezja e flash-it, pa pasur nevojë të kërkojnë nëpër menu.
Asistenti mund të përgjigjet edhe ndaj pyetjeve të thjeshta, si receta gatimi ose përkthime të shkurtra në gjuhë të huaja. Megjithatë, ky shërbim është falas vetëm për 180 ditët e para. Pas kësaj periudhe kërkohet një abonim vjetor me kosto të ulët, i cili aktivizohet përmes një smartphone-i.

Pjesa tjetër e specifikave mbetet besnike ndaj trashëgimisë së Nokia-s si porta 3.5 mm për kufje, mbështetje për kartat microSD dhe radio FM në shumicën e modeleve. Të katër telefonët përfshijnë gjithashtu një kamerë të përparme për videotelefonata dhe aplikacionin Xpress Chat, që lejon biseda në grup, mesazhe zanore, foto dhe emoji.

Vendimi për të integruar AI në një “dumbphone” ka ngjallur debat. Shumë përdorues dhe gazetarë të teknologjisë argumentojnë se një chatbot bie ndesh me filozofinë e këtyre telefonëve, të cilët përdoren pikërisht për të reduktuar varësinë nga teknologjia. Nga ana tjetër, HMD i sheh këto pajisje si një mënyrë për të ofruar shërbime digjitale bazë për përdoruesit që nuk kanë nevojë ose mundësi të përdorin smartphone të avancuar.

