VivaTech 2026, edicioni i 10-të i një prej eventeve më të mëdha evropiane për startup-et dhe teknologjinë, do të zhvillohet nga 17 deri më 20 qershor në Paris, dhe Geek Room është tepër i gëzuar të lajmërojë se do të rikthehet në këtë event për të 3-tin vit për të ndjekur nga afër dhe përcjellë inovacionet më të reja teknologjike drejt ndjekësve në rrjetet sociale.
Ky event është kthyer në një platformë kyçe globale ku ndërthuren inovacioni, biznesi dhe debatet më të rëndësishme teknologjike, me inteligjencën artificiale (AI) në qendër. Për këtë përvjetor, synohet zgjerimi i ndikimit të teknologjisë edhe përtej profesionistëve, përmes aktiviteteve si festivali dhe një prezencë speciale në Champs-Élysées.
Përgjatë një dekade VivaTech ka njohur rritje të jashtëzakonshme, nga 45,000 në mbi 180,000 vizitorë dhe pjesëmarrje nga 171 vende. Numri i startup-eve është trefishuar dhe investitorët janë rritur ndjeshëm. Edicioni i vitit 2026 do të jetë më i madh se kurrë, me hapësira më të zgjeruara, 15,000 startup-e, mijëra demonstrime dhe takime biznesi, si dhe programe për lidhjen e sipërmarrësve me investitorë.

Gjermania është shpallur “Vendi i Vitit”, duke sjellë një delegacion të madh me startup-e dhe institucione, duke theksuar ambicien evropiane për lidership teknologjik në një botë gjithnjë e më të fragmentuar.
Programi fokusohet në sfidat kryesore si AI, siguria kibernetike, energjia dhe deeptech. Inovacione të rëndësishme përfshijnë ndërfaqe tru-makinë, ekzoskelete, platforma AI, si dhe zhvillime në energji të shpejtë, bujqësi inteligjente dhe rigjenerim të oqeaneve. Në fushën e deeptech, prezantohen teknologji si kompjuterë kuantikë, turizëm hapësinor dhe lente inteligjente me realitet të shtuar.
Eventi synon gjithashtu të përfshijë publikun e gjerë, veçanërisht të rinjtë, përmes aktiviteteve edukative dhe interaktive. Për herë të parë, Champs-Élysées do të shndërrohet në një hapësirë inovacioni të hapur për të gjithë.

