Sipas raportimeve të fundit, Apple nuk do të ofrojë ngjyrën e zezë për modelet e saj premium. Një leaker i besueshëm si Instant Digital publikoi në platformën kineze Weibo një postim ku tregon se kompania nuk ka plane të prezantojë një version të zi të iPhone 18 Pro. Ky vendim, nëse konfirmohet, do të shënonte vitin e dytë radhazi pa këtë opsion klasik për linjën “Pro”.
Edhe vitin e kaluar, iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max u prezantuan pa ngjyrë të zezë, duke habitur përdoruesit. Në vend të saj, Apple ofroi variante si argjendi, blu e thellë dhe portokalli kozmik. Një arsye e mundshme për këtë vendim lidhet me materialin e përdorur, pasi një trup alumini i anodizuar që rezultoi i ndjeshëm ndaj gërvishtjeve, sidomos në ngjyrat më të errëta.

Megjithatë sipas 9toMac, Apple duket se po eksperimenton me ngjyra të reja për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve. Raportet sugjerojnë se për iPhone 18 Pro mund të prezantohet një variant “Deep Red”, që do të ishte një rikthim i toneve të kuqe, të parë më herët tek iPhone 14 në linjën (PRODUCT)RED. Kjo strategji mund të synojë të përsërisë suksesin e ngjyrave të pazakonta, si portokallia kozmike, e cila rezultoi mjaft popullore.
Ndërkohë, përdoruesit që preferojnë të zezën mund ta gjejnë atë tek modeli bazë i iPhone 18. Gjithashtu, pajisja e përfolur iPhone Fold pritet të vijë me ngjyra më tradicionale si gri hapësinor dhe e zezë.
Gjithsesi, Apple mund të ndryshojë planet deri në prezantimin zyrtar në shtator.

