Të apasionuarit e astronomisë do të kenë një mundësi të rrallë në fund të këtij muaji, kur 6 planetë do të shfaqen afër njëri-tjetrit në qiellin e natës. Fenomeni, i njohur si “paradë planetare” ose rreshtim planetar, ndodh kur të paktën katër ose pesë planetë mund të vëzhgohen njëkohësisht nga Toka. Më 28 shkurt, sipas NASA-s, do të jetë e mundur të shihen Merkuri, Venusi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni të grupuar ngushtë përgjatë qiellit, duke e bërë këtë një ngjarje të veçantë astronomike.
Paradave planetare u shpjegohet origjina nga fakti se planetët rrotullohen rreth Diellit pothuajse në të njëjtin plan të sheshtë, të quajtur plani ekliptik. Edhe pse secili planet ka shpejtësi dhe distancë të ndryshme nga Dielli, ka momente kur nga këndvështrimi i Tokës duken sikur rreshtohen. Ky rreshtim është vetëm një efekt vizual, pasi në realitet planetët vazhdojnë të ndahen nga miliona apo miliarda kilometra.

Ngjarje të tilla nuk janë të paprecedenta. Më 27 shkurt 2025, 7 planetë u panë të rreshtuar, një spektakël që nuk pritet të përsëritet deri në vitin 2040. Astronomët theksojnë se ndërsa grupime me tre apo katër planetë janë relativisht të zakonshme, përfshirja e gjashtë apo shtatë planetëve është mjaft e rrallë.
Nga gjashtë planetët e kësaj parade, Merkuri, Venusi, Marsi dhe Jupiteri, do të jenë të dukshëm me sy të lirë. Urani dhe Neptuni do të kërkojnë dylbi ose teleskop, për shkak të distancës së tyre të madhe. Koha më e mirë për vëzhgim është rreth 30 minuta pas perëndimit të Diellit, duke parë nga perëndimi, në kushte moti të kthjellët dhe me horizont të hapur.

