Papa Leo XIV ka dhënë një paralajmërim të fortë për rreziqet që paraqesin chatbot-et që tentojnë të zëvëndësojnë jetën reale, duke theksuar se ato po dëmtojnë marrëdhëniet njerëzore dhe po zëvendësojnë lidhjet reale mes njerëzve. Në mesazhin e tij për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, ai u bëri thirrje katolikëve dhe shoqërisë në përgjithësi që të mos lejojnë inteligjencën artificiale të marrë vendin e marrëdhënieve njerëzore. Sipas tij, teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut dhe jo ta zëvendësojë atë, pasi fytyra dhe zëri njerëzor mbartin gjurmën e dashurisë së Zotit.
Papa shprehu shqetësim se chatbot-et simulojnë intimitetin njerëzor dhe janë gjithmonë të pranishme, gjë që mund të depërtojë në nivelin më të thellë të komunikimit, atë emocional. Ai paralajmëroi se ato mund të përdoren për manipulim të fshehtë, duke ndikuar në gjendjen emocionale të individëve dhe duke zënë hapësirën e intimitetit personal. Zëvendësimi i marrëdhënieve reale me sisteme artificiale, sipas tij, na privon nga mundësia për të mësuar të lidhemi me të tjerët dhe për të ndërtuar miqësi të vërteta.

Papa Leo XIV theksoi gjithashtu se varësia nga chatbot-et si “mik i zgjuar” mund të dëmtojë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe krijuese, si dhe të nxisë dezinformimin. Ai paralajmëroi për rrezikun që inteligjenca artificiale paraqet për fushat krijuese, duke reduktuar artin, muzikën dhe letërsinë njerëzore në materiale trajnimi për makinat, ndërsa njerëzit kthehen në konsumatorë pasivë.
Papa theksoi se zgjidhja nuk është ndalimi i inovacionit dixhital, por udhëheqja e tij me përgjegjësi. Ai bëri thirrje për futjen e edukimit mediatik, informativ dhe të AI-së në të gjitha nivelet e arsimit, veçanërisht për të rinjtë, në mënyrë që ata të zhvillojnë mendim kritik dhe liri shpirtërore.

