Ndoshta ke menduar se një kompani estetikisht e kuruar si Apple është më serioze se ç’duhet por ja ku kemi dëshminë se sensi i humorit është një cilësi e domosdoshme për këdo.
Nëse ke një mik apo mikeshë që ka iPhone njësoj si ty, provo ti çosh një mesazh në iMessages ku të shkruash “pew pew” dhe lëre të mahnitet nga një spektakël lazerash, mund edhe thjesht ta besdisësh, por fundja kush nuk i ka xhan mistrecët?
Opsion ky i cili ka ekzistuar prej kohësh dhe nuk është i vetëm në llojin e vet pasi iMessages ka plot marifete të tilla; nëse shkruan “happy birthday” tullumbaca do mbushin ekranin e dërguesit, “happy new year” do shpërthejë më shumë fishekzjarre se ç’shpërthenim një kohë nëpër taraca dhe xixa e confetti do të fluturojnë nëse shkruan “congratulations”.
Mesa duket përdoruesit e iPhone mund ti shtojnë efekte cilitdo mesazh që dëshirojnë, thjesht shkruaj mesazhin tënd dhe më pas mbaj shtypur shigjetën e vogël blu: dërgo dhe shumë efekte të tjera veç atyre që përmendëm sipër do të shfaqen.
Fakti që jemi duke u distancuar socialisht nuk do të thotë që nuk mund ti ndriçojmë ditën njëri tjetrit me gjeste të vogla, ose tu ngrejmë nervat pak rëndësi ka.