Google dhe Apple kanë njoftuar një partneritet shumëvjeçar strategjik, sipas të cilit teknologjia e inteligjencës artificiale e Google do të shërbejë si bazë për Apple Intelligence dhe Siri në vitet në vijim. Sipas deklaratës zyrtare, modelet “Foundation Model” të Apple do të mbështeten në modelet Gemini të Google dhe në infrastrukturën e tij cloud, duke shënuar një hap të rëndësishëm në strategjinë e re të Apple për AI.
Në deklaratën e përbashkët, kompanitë theksuan se pas një vlerësimi të kujdesshëm, Apple e ka konsideruar teknologjinë e Google si zgjidhjen më të aftë për të ndërtuar bazën e modeleve të saj themelore të inteligjencës artificiale. Megjithatë, Apple nënvizoi se Apple Intelligence do të vazhdojë të funksionojë në pajisjet e saj dhe përmes sistemit Private Cloud Compute, duke ruajtur standardet e larta të privatësisë që kompania e ka kthyer në markë dalluese.

Lajmi konfirmon spekulimet e mëparshme, të cilat nisën në gusht pas raportimeve të Bloomberg se Apple po zhvillonte bisedime me Google për të përdorur Gemini në përmirësimin e Siri-t. Detajet financiare të marrëveshjes mbeten të paqarta, pasi Apple nuk ka dhënë informacion mbi koston apo kushtet ekonomike të bashkëpunimit.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Google është shndërruar në një forcë dominuese në fushën e inteligjencës artificiale. Ndërkohë, Apple është perceptuar prej vitesh si më e tërhequr në garën e AI-së, krahasuar me kompani si Google, OpenAI dhe Perplexity.
Në vitin 2024, Apple kishte njoftuar integrimin e ChatGPT të OpenAI në iOS, çka ngrit pyetje nëse partneriteti i ri me Google do të ndikojë apo jo marrëveshjen ekzistuese me OpenAI. Për momentin, kjo mbetet e paqartë.

