Në CES këtë vit u prezantuan kufjet gaming që synon të çojë matjen e performancës përtej klikimeve apo refleksit dhe butonave, drejt vetë trurit të lojtarit. Kompania amerikane e neuroteknologjisë Neurable, me seli në Boston, njoftoi një bashkëpunim me markën e njohur të gaming-ut HyperX të HP Inc., për të zhvilluar kufjet e para për lojëra të pajisur me neuroteknologji jo-invazive.
Kufjet, të zbuluara në ditën hapëse të CES në Las Vegas, integrojnë teknologjinë brain-computer interface (BCI) të Neurable direkt në dizajnin klasik të një headset-i gaming. Sensorët janë të vendosur brenda kufjes dhe lexojnë sinjale nervore gjatë lojës, pa nevojën për pajisje të jashtme apo pajisje laboratorike. Qëllimi është që gjurmimi i aktivitetit të trurit të jetë “i padukshëm” për përdoruesin, duke ofruar të dhëna në kohë reale mbi fokusin, vëmendjen dhe ngarkesën njohëse.

Sipas Neurable, teknologjia bazohet në platformën e saj të neurofeedback, Prime, e testuar si me lojtarë të zakonshëm, ashtu edhe me atletë të esports-it. Në teste paraprake, përdoruesit treguan përmirësime të matshme në performancë. Lojtarët e zakonshëm përmirësuan kohën e reagimit me mesatarisht 43 milisekonda, rritën saktësinë me 0.53% dhe goditën rreth nëntë objektiva më shumë. Te lojtarët universitarë dhe profesionistë të esports-it, përfitimet ishin edhe më të theksuara, me rritje të saktësisë gati 3% dhe përmirësim të ndjeshëm të shpejtësisë së reagimit.
Neurable thekson se kufja nuk synon të kontrollojë lojërat me mendime, por të ndihmojë lojtarët të kuptojnë se si gjendja mendore ndikon në performancë. Në një treg gaming-u që pritet të kalojë 213 miliardë dollarë deri në vitin 2027, kjo kufje pozicionohet në kryqëzimin e lojërave, inteligjencës artificiale dhe neuroshkencës, duke hapur rrugën për një brez të ri pajisjesh që matin jo vetëm lëvizjet, por edhe fokusin mendor.

