Verge Motorcycles ka shënuar një moment historik për industrinë e automjeteve elektrike, duke ofruar për herë të parë një motor tërësisht elektrik që përdor teknologjinë solide. E prezantuar në CES 2026, motori më i ri i kompanisë finlandeze është gati për prodhim dhe ofron karikim ultra të shpejtë prej vetëm 10 minutash, si dhe një autonomi të deklaruar deri në 600 km.
Me këtë hap, Verge pozicionohet si prodhuesi i parë në botë që sjell këtë teknologji në motorët elektrikë, një arritje e pritur prej vitesh në industrinë e automjeteve elektrike. Verge ishte tashmë e njohur për dizajnin inovativ me motor pa bosht në rrotë, ndërsa tani e ka kombinuar këtë veçori me një teknologji baterish që shumë prodhues automobilistikë ende e shohin si të largët për përdorim masiv.
Bateria e re është zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë teknologjike Donut Lab dhe ofron karikim më të shpejtë, jetëgjatësi më të madhe dhe densitet më të lartë energjie krahasuar me bateritë tradicionale litium-jon. Verge njofton se motoçikletat e para për klientët do të dorëzohen brenda muajve të ardhshëm.
Bateritë solid-state përdorin materiale të ngurta në vend të elektroliteve të lëngshme ose xhel, duke rritur ndjeshëm sigurinë, qëndrueshmërinë dhe performancën. CEO i Verge, Tuomo Lehtimwki, e cilëson këtë si një “përparim historik” që mund të tronditë gjithë industrinë automobilistike.
Platforma e parë që përdor këtë bateri është modeli Verge TS Pro, i prezantuar në versionin e tij më të fundit në EICMA 2025 në Milano. Motori kombinon baterinë e re me motorin Donut 2.0, i cili peshon 50% më pak, por ofron të njëjtën fuqi. Ajo arrin 0–100 km/h për 3.5 sekonda.
Një nga përfitimet kryesore është karikimi që realizohet brenda vetëm 10 minutave, që mjafton për të shtuar deri në 300 km autonomi. Opsioni i rritur i baterisë e çon autonominë nga 350 në 600 km pa rritur çmimin. Verge thekson gjithashtu sigurinë dhe qëndrueshmërinë mjedisore, duke nënvizuar se teknologjia mund të përdoret edhe për makina, kamionë, robotikë dhe ruajtje energjie.

