Rritja e çmimeve të RAM-it po krijon shqetësime serioze për të ardhmen e telefonëve inteligjentë, jo vetëm në aspektin e çmimit, por edhe të specifikimeve teknike. Sipas një raporti nga TrendForce, prodhuesit e smartphone-ve mund të detyrohen të ndalojnë rritjen e kapacitetit të RAM-it për modelet e reja, për të shmangur rritje të mëtejshme të kostove.
Për telefonët e nivelit të lartë, kjo do të thotë se kalimi drejt 16 GB RAM mund të shtyhet. Modele aktuale që kanë 12 GB RAM, si iPhone 17 Pro Max dhe Samsung Galaxy S25, ka gjasa që edhe pasardhësit e tyre të mbeten në të njëjtin nivel, në vend që të marrin përmirësime. Situata mund të jetë edhe më e rëndë, sipas informatorit Lanzuk, i cili sugjeron se disa telefona premium që aktualisht ofrojnë 16 GB RAM mund të bien në 12 GB në gjeneratën e ardhshme. Kjo mund të prekë pajisje si OnePlus 16 dhe Google Pixel 11 Pro.

Ndikimi nuk do të kufizohet vetëm te modelet flagship. Telefonët e mesëm pritet të mos ofrojnë më konfigurime me 12 GB RAM, duke u kufizuar në maksimum 8 GB. Ndërkohë, modelet më të lira mund të zbresin në vetëm 4 GB RAM, ndërsa aktualisht disa prej tyre ofrojnë 6 GB ose 8 GB. Kjo do të përfaqësonte një hap pas në përvojën e përdoruesit për shumë konsumatorë.
Arsyeja kryesore e këtij zhvillimi është kërkesa shumë e lartë për RAM në qendrat e të dhënave për inteligjencë artificiale, e cila po rrit ndjeshëm çmimet globale. Ironikisht, kjo situatë mund të ngadalësojë zhvillimin dhe performancën e AI në smartphone, pasi këto funksione varen shumë nga memoria RAM.
Megjithëse këto janë ende parashikime, duket e pashmangshme që konsumatorët ose do të paguajnë më shumë, ose do të marrin pajisje me specifika më të dobëta, ose ndoshta të dyja.

