Google prezantoi të enjten një eksperiment të ri të fuqizuar nga Gemini, i quajtur Disco, një mjet që shndërron tabelat e hapura në browser në aplikacione të personalizuara. Në qendër të këtij eksperimenti qëndron GenTabs, një funksionalitet që sugjeron në mënyrë proaktive mini-aplikacione interaktive bazuar në përmbajtjen që po shfletoni dhe ju lejon të krijoni vetë aplikacione përmes komandave me shkrim.
Nëse jeni duke studiuar një temë, GenTabs mund të propozojë ndërtimin e një ëeb app që vizualizon informacionet për t’ju ndihmuar t’i kuptoni më mirë konceptet kryesore. Në një skenar më praktik, ai mund t’ju ndihmojë të krijoni një plan ushqimor nga receta të ndryshme online ose të organizoni një udhëtim duke analizuar faqet e hapura për destinacionet, akomodimet dhe aktivitetet.

Ndryshe nga chatbot tradicionale që ofrojnë përgjigje të bazuara në tekst, GenTabs ndërton eksperienca të personalizuara në kohë reale duke përdorur Gemini 3 dhe informacione nga shfletimi juaj apo historia e bisedave me Gemini. Aplikacionet e krijuara mund të modifikohen më tej përmes komandave natyrore, duke e bërë procesin fleksibël dhe të vazhdueshëm. Përmbajtjet gjenerative brenda GenTabs ruajnë transparencën, duke u lidhur mbrapsht me burimet origjinale.
Google po eksperimenton gjithnjë e më shumë me integrimin e inteligjencës artificiale në përvojën e shfletimit. Në vend se të ndërtojë një shfletues tërësisht të ri të ngjashëm me Comet të Perplexity apo Atlas të ChatGPT, kompania ka futur Gemini-n drejtpërdrejt në Chrome, duke i lejuar përdoruesit të bëjnë pyetje rreth faqeve që vizitojnë.

Me GenTabs, Google shkon një hap më tej: nuk analizon vetëm faqen në të cilën ndodheni, por të gjithë sesionin e shfletimit, nga kërkimet akademike te planifikimet personale, duke e shndërruar përvojën e shfletimit në një mjet aktiv krijimi dhe organizimi.

