OpenAI, Anthropic dhe Block kanë themeluar Agentic AI Foundation (AAIF), një organizatë të re me burim të hapur që synon të vendosë standarde të hapura për agjentët e inteligjencës artificiale. Tre kompanitë po transferojnë në këtë fondacion edhe teknologji kyçe që tashmë përdoren gjerësisht.
Këto përfshijnë Model Context Protocol (MCP) të Anthropic, i cili mundëson lidhjen dhe ndërveprimin e agjentëve; Agents.md të OpenAI, që lejon programet dhe faqet e internetit të përshkruajnë rregulla për agjentët; dhe Goose, një kornizë e zhvilluar nga Block për ndërtimin e agjentëve. Të gjitha këto ishin tashmë të lira për t’u përdorur, por tani komuniteti global mund të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre.
Fondacioni po krijohet nën ombrellën e Linux Foundation, e cila mbështet qindra projekte të njohura open source. Përveç tre themeluesve, AAIF ka tërhequr edhe kompani të mëdha si Google, Microsoft, AËS, Bloomberg dhe Cloudflare. Kjo lëvizje pasqyron kalimin e industrisë nga modelet e thjeshta të bisedimit drejt agjentëve të aftë të kryejnë veprime në emër të përdoruesve, duke krijuar mundësi të reja për automatizim dhe aplikacione më të avancuara.

Sipas drejtuesve të OpenAI, e ardhmja e afërt mund të përfshijë komunikim të shpeshtë ndërmjet agjentëve të ndryshëm në aktivitete biznesi. Standardet e hapura synojnë të garantojnë që këta agjentë të funksionojnë bashkë, pavarësisht se cilës kompani i përkasin. Kjo qasje shihet si thelbësore për adoptimin masiv të AI.
Çështja e hapjes është bërë kritike në industrinë e AI. Ndërsa shumica e kompanive amerikane ofrojnë modele të mbyllura përmes API-ve, disa aktorë ndërkombëtarë, veçanërisht në Kinë, po fitojnë terren me modele krejtësisht të hapura, gjë që ngre shqetësime strategjike për vendet perëndimore. Edhe OpenAI ka nisur iniciativa të hapura, si gpt-oss dhe Codex CLI.
Duke vendosur standarde të përbashkëta, AAIF synon të nxisë inovacionin dhe të heqë barrierat në ndërtimin e agjentëve inteligjentë. Megjithëse standardet nuk kërkojnë përdorimin e modeleve nga OpenAI, Anthropic apo Block, këto kompani besojnë se një ekosistem i hapur do t’i ndihmojë të rriten.

