Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, dhe bashkëshorti i tij Oliver Mulherin kanë investuar në një startup që synon modifikimin gjenetik të embrioneve për të eliminuar sëmundjet e trashëguara. Kompania, e quajtur Preventive, ka siguruar 30 milionë dollarë financim dhe ka hapur selinë në San Francisko, me objektivin të trajtojë “problemet gjenetike shkatërruese”. Edhe Brian Armstrong, drejtuesi i Coinbase, është mes investitorëve.
Megjithëse ambicia është e madhe, fusha është e ngarkuar me ndalime ligjore dhe debate etike. Modifikimi i embrioneve për të krijuar një foshnjë është i paligjshëm në SHBA, Britani dhe vende të shumta të tjera, pasi kritikët theksojnë rreziqet shkencore dhe pasojat etike. Për këtë arsye, Preventive po konsideron kryerjen e testeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku procedura lejohet. Sipas raportimeve, shkencëtarët e kompanisë po përpiqen të krijojnë një fëmijë nga një embrion i modifikuar gjenetikisht për të parandaluar një sëmundje e trashëguara, me pjesëmarrjen e një çifti që bart një defekt gjenetik.

Armstrong e ka mbrojtur investimin duke argumentuar se miliona njerëz vuajnë nga sëmundje gjenetike dhe se ndërhyrjet te embrioni mund të shmangin vuajtje të panevojshme. Ai nënvizon se është më e lehtë të korrigjosh qelizat para se sëmundja të zhvillohet.
Diskutimet ndizen edhe nga një arritje e rëndësishme në maj, kur një foshnjë me deficiencë CPS1, një çrregullim i rrallë dhe fatal, u trajtua me një terapi gjenetike të personalizuar që korrigjoi një gabim kritik në ADN. Studimi i publikuar në New England Journal of Medicine u vlerësua si hap historik drejt trajtimeve të personalizuara për sëmundje të rralla.
Megjithatë, ndërsa kompanitë teknologjike shikojnë mundësi më të gjera, madje deri te parashikimi i inteligjencës apo gjatësisë së fëmijëve, grupet kundërshtare si GM Freeze paralajmërojnë se njohuritë tona për funksionimin e gjeneve janë ende shumë të kufizuara. Për ta, rreziku i pasojave të paparashikueshme mbetet i lartë.

