Nissan po synon të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e modeleve të reja duke zgjeruar bashkëpunimin me kompaninë britanike të inteligjencës artificiale Monolith. Partneriteti strategjik, i cili tashmë zgjatet edhe për 3 vite të tjera, ka si objektiv kryesor transformimin e proceseve të zhvillimit dhe reduktimin e testeve fizike të kushtueshme. Zgjidhja e specializuar me AI pritet t’i ndihmojë inxhinierët të sjellin modele të reja më shpejt dhe me efikasitet më të lartë se më parë.
Pjesë e strategjisë globale “Re:Nissan”, teknologjia e Monolith është përdorur fillimisht gjatë zhvillimit të Nissan Leaf të ri elektrik, ku AI kontribuoi në verifikimin e testeve të automjetit. Në të ardhmen e afërt, softueri do të zbatohet edhe në modele të tjera për tregun europian. Ajo që e bën platformën të veçantë është mbështetja në një depo të gjerë të dhënash që përfshin teste të grumbulluara nga 90 vite kërkimi dhe zhvillimi te Nissan. Inxhinierët në qendrën teknike të Nissan në Cranfield, Britani, tashmë e përdorin platformën për të parashikuar me saktësi rezultatet e testeve reale, duke ulur nevojën për prototipe fizike dhe duke përshpejtuar vendimmarrjen teknike.

Vendimi për të zgjeruar partneritetin lidhet me suksesin e një projekti pilot ku AI përcaktoi intervalin optimal për shtrëngimin e vidave. Falë rekomandimeve të teknologjisë, testet fizike u reduktuan me rreth 17%, një rezultat që Nissan e konsideron vetëm fillimin. Kompania beson se përdorimi i këtij sistemi në të gjithë gamën europiane mund të përgjysmojë kohën totale të testimit.
Sipas Emma Deutsch nga Nissan Technical Centre Europe, modelet e mësimit makinerik do të jenë thelbësore për të sjellë gjeneratën e ardhshme të automjeteve më shpejt te klientët. CEO i Monolith, Dr. Richard Ahlfeld, shton se platforma ofron mjete si “Next Test Recommender” dhe “Anomaly Detector”, të cilat ndihmojnë në shkurtimin e cikleve të zhvillimit pa sakrifikuar cilësinë apo performancën e automjeteve.

