Astrofotografia ka njohur rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, por dita e djeshme duket se vendosi një standard të ri, literalisht disa kilometra mbi tokë. Astrofotografi Andrew McCarthy dhe parashutisti Gabriel C. Brown bashkuan talentet e tyre për të krijuar një imazh tepër të veçantë. Fotografia, e quajtur The Fall of Icarus, paraqet Brown në rënie të lirë, në siluetë të përsosur mbi një pamje spektakolare të Diellit. Filtri i përdorur në këtë foto zbulon shtresën turbulente të hidrogjenit mbi sipërfaqen e ndritshme të Diellit, duke i dhënë fotos një pamje dramatike dhe mahnitëse.
Silueta e Brown gjendet mes dy njollave diellore aktive, duke krijuar një kompozim kaq të saktë sa duket sikur është pikturuar. McCarthy rrëfeu se ideja lindi thjesht gjatë një dreke pas një hedhje me parashutë, kur dyshja filluan të diskutojnë se si mund të kombinonin sportin e skydiving me artin e astrofotografisë. Por realizimi i kësaj ideje ishte shumë më i vështirë se sa tingëllonte.
McCarthy, Brown dhe piloti punuan vazhdimisht në sinkron, duke komunikuar në një telefonatë për të siguruar që pozicionet dhe këndet të përputheshin saktë me vizionin e fotografit. Ai vendosi disa kamera dhe udhëzonte pilotin në kohë reale. Piloti përdorte hijen e tij në tokë për të kuptuar kur pozicioni i avionit përputhej me vendndodhjen e McCarthy-t, dhe në momentin e duhur ngadalësonte për të kaluar përpara Diellit. U deshën 6 tentativa që gjithçka të linte perfekt, me Brown që përballej me disa probleme teknike gjatë 5 përpjekjeve të para.
Këmbëngulja e tyre u shpërblye: rezultati është një vepër arti mbresëlënëse që shtyn kufijtë e asaj që mund të arrijë astrofotografia. Koleksionuesit mund të blejnë edicione të kufizuara të punimeve të McCarthy-t në faqen e tij.

