Pas muajsh spekulimesh, Samsung ka prezantuar zyrtarisht headset-in e saj të realitetit të zgjeruar Galaxy XR, duke sfiduar drejtpërdrejt Apple Vision Pro. Pajisja funksionon me sistemin operativ Android XR të zhvilluar nga Google dhe me platformën Snapdragon XR2+ Gen 2 të Qualcomm.
Galaxy XR ka një çmim prej $1,800, pothuajse gjysma e kostos së Vision Pro, dhe është tashmë në shitje në SHBA dhe Korenë e Jugut. Pajisja ofron 2 orë përdorim të përgjithshëm dhe deri në 2.5 orë shikim videoje. Ajo peshon vetëm 545 gramë, ndjeshëm më pak se Vision Pro, që varion nga 750 deri në 800 gramë.

Headset-i vjen me një ekran micro OLED me 27 milionë pikselë (6 milionë më shumë se Vision Pro) dhe rezolucion 3,552 x 3,840 me frekuencë rifreskimi 90Hz. Ajo përfshin 2 kamera me rezolucion të lartë për “pass-through”, 6 kamera për ndjekjen e ambientit dhe 4 kamera për gjurmimin e syve. Samsung thekson se dizajni ergonomik shpërndan presionin në mënyrë të barabartë në ballë dhe pjesën e pasme të kokës, duke ofruar lehtësi për përdorim të përditshëm.
Galaxy XR integron shërbime të Google si Maps, YouTube, Circle to Search dhe Photos, me ndihmën e Gemini AI për kërkime dhe navigim në 3D. Përdoruesit mund të shohin botën reale në “pass-through mode”, të kërkojnë informacione me një gjest dore apo të hapin disa aplikacione njëkohësisht.

Në aspektin argëtues, përmbajtja transmetohet në ekran 4K micro OLED, me aplikacione të përshtatura për Android XR nga HBO Max, Peacock, dhe Crunchyroll. Ata që e blejnë pajisjen deri në fund të vitit marrin paketën “Explorer Pack”, me 12 muaj Google AI Pro, YouTube Premium, Google Play Pass, si dhe qasje në NBA League Pass 2025–2026 dhe lojën NFL PRO ERA.
Prezantimi i Galaxy XR vjen vetëm një javë pasi Apple publikoi versionin e ri të Vision Pro me çipin M5, që ofron 10% përmirësim në performancën vizuale dhe jetëgjatësi më të madhe të baterisë.

