Më 16 dhe 17 tetor, në Piramidën e Tiranës, Plug and Play Tirana Expo 2025 do të sjellë në një skenë të vetme emra që përfaqësojnë teknologjinë, kapitalin, korporatat dhe politikëbërjen. Në qendër të vëmendjes janë folës që vijnë me eksperiencë të provuar në industri të ndryshme dhe që pritet të shtyjnë diskutimin përtej sloganeve, drejt zgjidhjeve reale.
Alan Samuel Greenberg, ish drejtor për edukimin në Evropë për Apple, vjen në Expo me një perspektivë të qartë mbi edukimin, teknologjinë dhe AI-në e besueshme, duke e parë inteligjencën artificiale si mjet për të përmirësuar mësimdhënien pa sakrifikuar etikën dhe privatësinë. Në anën tjetër të shëndetësisë, Liridon Rrushaj, Director of Venture Investments te OSF HealthCare, i bashkohet panelit ku do të flitet për financimet e inovacioneve në këtë sektor dhe se çfarë funksionon realisht kur një teknologji duhet të provojë vlerën klinike dhe të adoptohet në sisteme spitalore. Një zë i rëndësishëm global mbi teknologjinë, Arvind Gupta, themelues i Digital India vjen në Expo me një qasje të re mbi shoqërinë në epokën e AI.
Rrjedha e diskutimeve mbi financat digjitale do të pasohet nga perspektiva e Mastercard, ku Ivan Hadjov dhe Shweta Choudhry do të tregojnë se si po evoluon fintech në tregjet në zhvillim, nga ndërtimi i infrastrukturës së pagesave te partneritetet “embedded finance” që e bëjnë financën pjesë organike të përvojës së përdoruesit. Në të njëjtën frymë bashkëpunimi, Sebastian Tietz nga Bosch do të ndaj përvojën e “open innovation”: si strukturohen thirrjet për PoC, si maten rezultatet dhe si kthehen pilotët në ndikim real, duke treguar pse një korporatë globale ka nevojë për ritmin dhe kreativitetin e startup-eve që bashkëpunojnë me të.

Skena do të pasurohet edhe nga zëra që lidhin politikat, filantropinë dhe ekosistemet. Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, pritet të ofrojë këndvështrimin institucional për inovacionin dhe investimet, ndërsa z. Michael D. Granoff, Chairman i Bordit të AADF, do të flasë për rolin e fondacioneve dhe institucioneve në ndërtimin e infrastrukturës së talentit dhe sipërmarrjes. Nga ana e sipërmarrjes globale dhe transformimeve strukturore, Bernard Attali, ish-CEO i Air France, sjell një lexim të kthjellët mbi mobilitetin dhe qëndrueshmërinë, ndërsa Milena Stoycheva, ish ministre e inovacionit dhe rritjes në Bullgari, hedh ura midis politikëbërjes dhe produktit. Edhe konteksti i inovacionit nën presion do të jetë i pranishëm: Andrey Liscovich, sot CEO i Ukrainian Defense Fund dhe dikur drejtor në Uber Eats, do të flasë për atë çfarë ndodh kur teknologjia testohet në rrethana ekstreme dhe çfarë mund të mësojmë prej saj për reziliencën.
Edukimi dhe përmbajtja digjitale marrin një hap përpara me Gauthier Van Malderen, themelues i Perlego, i cili sjell mësime të drejtpërdrejta nga rritja e një platforme edtech globale. Te siguria dhe transformimi digjital i korporatave, Mikael Kretz (QGroup) dhe Dr. Thomas Endres (Corporate momentum) do të sqarojnë si ndërthuret mbrojtja e infrastrukturës kritike me objektivat e biznesit dhe me ritmin e shpejtë të zhvillimit të software-it.
Në anën e kapitalit sipërmarrës, panorama do të pasqyrohet nga Jarek Białek i Revenue Capital me fokus tek investimet në tregjet në zhvillim dhe në Evropën Qëndrore, ndërsa Gunce Onur nga Startup Wise Guys, Kevin Chavanne nga Tenity dhe David Cabezón Egurrola nga Baby VC do të sjellin një lexim të freskët mbi deal-flow, due diligence-in e fazave të hershme dhe rolin e fondeve që po formësojnë valën e re të VC-ve evropiane. Ekosistemi lokal dhe diaspora janë të përfaqësuara fuqishëm nga Alejtin Berisha (Finish School), Arjan Ymeri (Startup Albania), Leo Blakaj (Highlight Ventures) dhe Erdugan Gashi (BBC Ventures), duke e bërë Tiranën një pikë takimi natyrore për ide, kapital dhe talente që vijnë prej rajonit dhe më gjerë.

Një raport i veçantë mbi ecurinë e ekosistemit të startup-eve në Shqipëri do të prezantohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndjekur nga një tjetër raport mbi mbështetjen e Suedisë në ekosistemin e inovacionit në Shqipëri, prezantuar nga Ambasadori Niklas Ström.
Dimensioni i financave digjitale dhe i Web3 do të ketë një zë të posaçëm mbi anët e rritjes, M&A dhe produktit që do të pasqyrohen nga Sebastien Stanley-Jones (Flippa.com), Manon Ligato (Covercheck, më parë Peakon/Workday), Ryan Fagan (Sweep) dhe Jamie Reynolds (The Product Coach), me shembuj praktikë se si ndërtohet strategjia e rritjes dhe si përgatitet kompania për transaksione.
Programi pasurohet më tej nga emra si Stephanie Tobies dhe Kustaa Valtonen, Uranik Begu, Philipp Gneiting, Thomas Bigagli, Katja Hopia, dhe Zdenek “Fred” Fous, një përzierje e ekzekutivëve, themeluesve, investitorëve dhe ndërtuesve të komuniteteve që e bëjnë skenën e Expo-s të dallohet për shumëllojshmërinë e perspektivave.
Sa i përket temave, Plug and Play Tirana Expo do të zhvillojë mbi njëzet panele që shtrihen nga AI dhe etika e përdorimit të saj te bashkëpunimi korporatë–startup, nga investimet dhe venture capital-i te shëndetësia dhe medtech-u, nga edtech-u te mobiliteti dhe qëndrueshmëria, si dhe fusha si cybersecurity, agritech apo edhe real estate tech. Kjo shumëllojshmëri synon të japë një pamje 360 gradë të inovacionit: teknologjitë mundësuese, modelet e reja të biznesit, qasjet e rregullimit dhe ndikimi social i risive. Në një ekosistem që po rritet me ritme të shpejta, fintech mbetet një nga boshtet kryesore; pikërisht për këtë do të flitet gjerësisht në Expo, nga infrastruktura e pagesave dhe rregullimi, te partneritetet korporatë–startup dhe modelet e financave të integruara që po futen natyrshëm në çdo vertikal të ekonomisë.
Ky kombinim folësish dhe temash e kthen Tiranën për dy ditë në një laborator të hapur idesh, ku themeluesit marrin sinjale të qarta për çfarë kërkojnë blerësit enterprise, korporatat gjejnë partnerë me të cilët mund të lëvizin shpejt pa kompromentuar sigurinë dhe kompliancën, ndërsa investitorët shohin më qartë se ku po krijohet vlera dhe si matet ajo. Me pak fjalë, është skena ku politika takohet me produktin, ku teknologjia takohet me tregun dhe ku fjala “bashkëpunim” merr përkufizim praktik. Dhe Geek Room do të jetë aty për të ndjekur nga afër dhe raportuar në kohë reale në rrjetet tona sociale.
Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 60 qytete në mbarë botën. Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me IDEMIA SMART IDENTITY by IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve.