Google po e përfshin asistentin e tij me inteligjencë artificiale Gemini dhe në ekranin e madh të televizorëve. Kompania njoftoi se po sjell Gemini në Google TV, duke i mundësuar përdoruesve të bisedojnë natyrshëm me AI-në direkt nga televizori. Me përhapjen e plotë, kjo veçori do të mbulojë mbi 300 milionë pajisje aktive me Google TV dhe Android TV OS.
Gemini pritet të bëjë shërbime të shumta për shikuesit. Përdoruesit mund t’i kërkojnë të sugjerojë filma ose seriale që u përshtaten interesave të ndryshme, t’i përmbledhë sezonet e kaluara të një serie, ose të ndihmojë kur nuk kujtohet titulli i një filmi. AI mund të ofrojë edhe informacione mbi kritikat dhe vlerësimet për të ndihmuar në vendimin se çfarë ia vlen të shikohet.
Pasi është e njëjta Gemini që gjendet në smartphone, përdoruesit mund të bëjnë çdo pyetje tjetër zakonshme: fëmijët mund ta shfrytëzojnë për ndihmë në detyrat e shtëpisë apo ide për projekte, familjet për planifikim pushimesh, ndërsa individët për të mësuar një aftësi të re.

Google thekson se komandat tradicionale të Google Assistant mbeten funksionale, kështu që përdoruesit nuk humbin funksionet ekzistuese si kontrolli i zërit për volumin, ndërrimi i kanaleve apo kërkimet e shpejta.
Shpërndarja ka nisur fillimisht me serinë TCL QM9K, ndërsa më vonë gjatë vitit Gemini do të arrijë në Google TV Streamer, Walmart onn 4K Pro, modelet e vitit 2025 të Hisense U7, U8 dhe UX, si dhe TCL QM7K, QM8K dhe X11K. Google premton se me kalimin e kohës do të shtojë edhe më shumë funksione.
Ky hap tregon ambicien e kompanisë për ta bërë Gemini një shoqërues të përditshëm në dhomën e ndenjjes, duke e shndërruar televizorin në një qendër të zgjuar argëtimi dhe asistence për familjen.