Carrie Edwards nga Midlothian, Virxhinia, u bë lajm për bujarinë e saj pasi vendosi të dhurojë të gjithë fitimin nga llotaria për bamirësi. Më 8 shtator ajo arriti të përputhte katër nga pesë numrat plus Powerball, duke fituar 50 mijë dollarë. Falë opsionit “Power Play”, që e kishte zgjedhur me një pagesë shtesë prej një dollari, shuma u trefishua në 150 mijë dollarë.
Edwards tregoi se numrat fitues ia kishte sugjeruar ChatGPT.
“I thashë, ‘ChatGPT, do më tregosh një kombinim numrash?’” kujtoi ajo në konferencë për shtyp. Kur mori njoftimin për përzgjedhjen si fituese, fillimisht mendoi se ishte mashtrim, por verifikimi i konfirmoi surprizën e madhe.

Menjëherë ajo vendosi të dhurojë çdo qindarkë, duke thënë se ndjehet e bekuar dhe dëshiron të japë shembull për të tjerët. Shuma do të ndahet mes tre organizatave që kanë rëndësi personale për të. Së pari, Shoqata për Degjenerimin Frontotemporal (AFTD), në nder të bashkëshortit të ndjerë që humbi jetën nga kjo sëmundje e rrallë e demencës së hershme. Donacioni i dytë do t’i shkojë Shalom Farms, një fermë në Richmond që merret me drejtësinë ushqimore dhe ofron zgjidhje komunitare për mungesën e ushqimit. E fundit në listë është Shoqata e Ndihmës së Marinës dhe Flotës Detare Amerikane (Navy-Marine Corps Relief Society), një kauzë e lidhur me kujtimet e babait të saj pilot, i cili e ka mbështetur gjatë gjithë jetës.
Edwards theksoi se ky fitim i papritur është një mundësi për të ndihmuar të tjerët, duke e quajtur një bekim të vërtetë. Historia e saj tregon fuqinë e mirësisë dhe dëshmon se edhe pasuria e papritur mund të kthehet në kontribut për të mirën e përbashkët, duke frymëzuar të tjerët të ndjekin shembullin e saj bujar.