Kina ka hyrë për herë të parë në dhjetëshen e vendeve më inovative të botës, sipas indeksit vjetor Global Innovation Index (GII) të Kombeve të Bashkuara, duke zëvendësuar Gjermaninë, e cila ra në vendin e 11-të. Ky renditje përfshin 139 ekonomi dhe bazohet në 78 tregues të ndryshëm, që nga kërkim-zhvillimi (R&D) e deri te aplikimet për patenta.
Në krye të listës për vitin 2025 qëndron sërish Zvicra, e padiskutueshme në vendin e parë që prej vitit 2011, e ndjekur nga Suedia dhe Shtetet e Bashkuara. Pas tyre renditen Koreja e Jugut, Singapori, Britania, Finlanda, Holanda dhe Danimarka, me Kinën që mbyll top-10 për herë të parë.
Raporti thekson se Kina po i afrohet shpejt titullit të shpenzuesit më të madh në botë për kërkim-zhvillim, duke ngushtuar diferencën në financimin privat. Vetëm në vitin 2024, ajo kontribuoi me rreth një të katërtën e aplikimeve ndërkombëtare për patenta, duke mbajtur vendin e parë globalisht. Në të kundërt, SHBA, Japonia dhe Gjermania – që së bashku përbëjnë 40% të aplikimeve – shënuan rënie të lehtë.
Megjithatë, perspektiva e përgjithshme për inovacionin global duket e zymtë: rritja e shpenzimeve për R&D pritet të ngadalësohet në 2.3% këtë vit, nga 2.9% një vit më parë, niveli më i ulët që prej krizës financiare të 2010-ës.
Ekspertët e GII theksojnë se rënia e Gjermanisë nuk është alarmante, duke kujtuar se ajo mbetet një motor i fuqishëm i inovacionit industrial. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të WIPO, Daren Tang, sfida kryesore për Gjermaninë është ta shndërrojë këtë forcë industriale në një fuqi të madhe të inovacionit digjital.
Në përgjithësi, raporti tregon se pavarësisht rënies së investimeve globale, Kina po forcon rolin e saj si fuqi kryesore teknologjike, duke sfiduar ekonomitë tradicionale të zhvilluara dhe duke konsoliduar pozicionin si një prej motorëve më të rëndësishëm të inovacionit në botë.