Nintendo solli një surprizë të pazakontë gjatë eventit Direct të së premtes, duke njoftuar rikthimin e Virtual Boy në një formë krejt të re. Kompania do të lançojë një pajisje fizike ku përdoruesit mund të vendosin Switch ose Switch 2, duke rikrijuar përvojën e sistemit të viteve ’90. Aksesorja plastike do të shitet për $100, ndërsa një version kartoni do të kushtojë $25. Të dyja opsionet do të jenë në dispozicion vetëm për përdoruesit në SHBA dhe Kanada.
Për të luajtur lojërat e Virtual Boy, do të nevojitet një nga këto aksesorë. Titujt e parë do të mbërrijnë në Switch Online + Expansion Pack më 17 shkurt, duke nisur me klasikët Mario’s Tennis, Galactic Pinball, Teleroboxer, Space Invaders dhe Tetris. Në total, Nintendo planifikon të sjellë 14 lojëra 3D nga biblioteka origjinale.
Kjo përbën thuajse gjithë koleksionin historik të Virtual Boy, pasi sistemi pati vetëm 22 lojëra të publikuara para se të dështonte. Konsola origjinale u nxor nga prodhimi në vitin 1996, vetëm një vit pas debutimit, për shkak të shitjeve të ulëta dhe problemeve të raportuara me lodhjen e syve.
Rikthimi i Virtual Boy si aksesor për Switch është një kombinim i nostalgjisë dhe inovacionit, që u jep lojtarëve mundësinë të përjetojnë një pjesë të historisë së Nintendo-s me teknologji moderne. Megjithëse mbetet për t’u parë nëse përvoja vizuale do të jetë më e rehatshme këtë herë, entuziastët e retro-games e shohin këtë si një rilindje të papritur të një prej projekteve më të diskutueshme të kompanisë.