Në fillim nuk i merrte njeri seriozisht, më pas krijuan një industri prej 1 bilion dollarësh ndërsa sot do të shpëtojnë botën, po flasim për Gamers!
Nuk quhesh një PC Gamer nëse nuk ke një setup të fuqishëm, sa më shumë lojra aq më shumë investim në to. Fuqi e cila mesa duket mund ti vijë në ndihmë botës duke u bërë pjesë e Folding@home në gjetjen e një kure apo vaksine për Covid-19.
Folding@home është një projekt kompiutimi i cili po mundohet që nëpërmjet stimulimeve dixhitale të provojë disa alternativa dhe eksperimente të cilat do të studiojnë sjelljen e proteinave të virusit deri sa të gjendet një zgjidhje. Proçes i cili kërkon fuqi kompiutimi të frikshme për të funksionuar.
Kompania publikoi kështu thirrjen duke u kërkuar kujtdo ciklet dhe hapësirën e lirë të kompiuterit të tyre në shërbim të projektit.
Dhe përgjigja ka qënë mallëngjyese, gamera nga e gjithë bota kanë bashkuar kompiuterat duke i dhënë Folding@home 470 petaflops, dyfish më shumë fuqi sesa superkompiuteri më i shpejtë në botë ORNL Summit.
Në një postim në Twitter drejtori i projektit Greg Bowman ka shprehur mallëngjimin e tij ndaj përgjigjes kolosale të komunitetit.
Të shohësh se si atomet e një proteine lëvizin në raport me njëra tjetrën është e rëndësishme pasi kështu mund të kapim informacion të cilin nuk mund ta aksesosh në asnjë lloj mënyre tjetër.
Në ditë të tilla sigurisht që mallëngjehesh të shohësh se si njerzit japin ç’të kenë mundësi.
Nëse edhe ti e ke një PC të fuqishëm mjafton të shkosh tek Folding@home dhe mund të shkarkosh aplikacionin.