Bordi drejtues i Tesla-s ka prezantuar një paketë të re pagese që përshkruhet si “super ambicioze” dhe që, nëse realizohet, mund ta bëjë Elon Musk trilionerin e parë në botë. Sipas dokumenteve të dorëzuara pranë SEC, Musk mund të fitojë deri në 12% të aksioneve totale të Tesla-s, të ndara në 12 pjesë gjatë një dekade.
Musk, i cili tashmë është njeriu më i pasur në botë me një pasuri neto prej 437.8 miliardë dollarësh sipas Forbes, zotëron aktualisht rreth 13% të Tesla-s, me edhe 6.7% të tjera në mosmarrëveshje ligjore. Nëse paketa miratohet, ai do të arrijë të kontrollojë të paktën 25% të kompanisë, me kusht që të qëndrojë në krye të saj për 7 vite të tjera.
Paketa, e titulluar “Një paketë super ambicioze stimujsh për një CEO pionier, ambicioz dhe unik”, u miratua nga bordi të premten dhe do të shkojë për votim tek aksionerët në nëntor. Sipas analistëve, struktura e re synon të mbajë Musk të lidhur me Tesla-n dhe ta motivojë që ta shndërrojë kompaninë në një gjigant të AI dhe robotikës.
Plani i ri i jep menjëherë Musk 96 milionë aksione të kufizuara, me vlerë mbi $31 miliardë, të cilat nuk mund të shiten për 5 vite. Megjithatë, për të përfituar shpërblimin e plotë, Musk duhet të çojë kapitalizimin e tregut të Tesla-s në të paktën 8.5 trilionë dollarë deri në vitin 2035, një rritje gati tetëfish nga niveli aktual mbi 1 trilion dollarë.
Edhe pse disa analistë e shohin këtë si një precedent problematik për qeverisjen korporative, të tjerë presin që aksionarët ta miratojnë. Kritikët theksojnë se bordi po përpiqet me çdo kusht ta mbajë Musk, pavarësisht polemikave dhe angazhimeve të tij të shumta me SpaceX dhe platformën X.