Ne prekim telefonat tanë dhjetëra herë në ditë dhe i marrim kudo me vete –në tryezën e ngrënies, madje edhe në tualet – duke i ekspozuar ata ndaj mikrobeve të ndryshme. Ndryshe nga duart, të cilat i lajmë shpesh, telefonat rrallë pastrohen siç duhet, duke krijuar potencial për transmetimin e baktereve apo viruseve. Megjithëse jo të gjitha mikroorganizmat që gjenden në telefona shkaktojnë sëmundje, rreziku mbetet, veçanërisht pasi shpesh i afrojmë pranë fytyrës.
Pastrimi i telefonit ka edhe arsye estetike, pasi ekrani mbushet me gjurmë gishtash e njolla. Por përdorimi i produkteve të gabuara mund të dëmtojë pajisjen. Apple dhe Samsung paralajmërojnë të mos përdoret zbardhues, peroksid hidrogjeni, uthull, solucion për pastrimin e dritareve, alkool mbi 70% apo pastrues me amoniak, pasi mund të heqin shtresën oleofobike të ekranit, të dëmtojnë mbrojtjen kundër ujit dhe të ulin ndjeshmërinë e prekjes.

Po ashtu, uthulla mund të dëmtojë kornizat metalike, ndërsa alkooli i përqëndruar mund të thajë dhe dobësojë plastikën.
Pastrimi i sigurt rekomandohet me peceta ose solucion izopropil 70%, leckë mikrofibre të butë dhe furça antistatike për zona delikate si altoparlantët apo porta e karikimit.
Asnjëherë nuk duhet spërkatur lëngu direkt mbi telefon ose ta zhysim në solucion, pasi lagështia mund të depërtojë. Gjithashtu duhet shmangur letra kuzhine ose pecetat e ashpra që gërvishtin ekranin.
Prodhuesit sugjerojnë një pastrim të plotë të paktën një herë në javë, dhe më shpesh nëse telefoni përdoret në mjedise me rrezik të lartë si transport publik, spitale apo palestra. Pastrimi i rregullt dhe i kujdesshëm është i thjeshtë, i lirë dhe ndihmon në ruajtjen e higjienës pa dëmtuar pajisjen.