KNP Logistics, një kompani transportimi britanike me 158 vite histori, u shkatërrua në qershor 2024 pas një sulmi ransomware, i cili nisi nga një fjalëkalim i dobët që u përdor nga grupi I hakerave. Sulmi i dha qasje grupit ransomware Akira, që enkriptoi të dhënat jetike të kompanisë dhe kërkoi një shpërblim prej 5 milionë paundësh. KNP mbeti e paralizuar, e paaftë të funksiononte apo të siguronte fonde të reja, duke çuar në falimentimin e saj dhe humbjen e vendeve të punës për 730 punonjës.
Drejtori i KNP, Paul Abbott, pranoi se nuk ka treguar se cili ishte punonjësi që përdori fjalëkalimin e dobët, për shkak të barrës emocionale që kjo do të shkaktonte.
Rasti i KNP është pjesë e një vale në rritje të sulmeve ransomware në Britani. Kompani të mëdha si Marks & Spencer, Co-op dhe Harrods janë goditur gjithashtu. M&S pësoi humbje prej 40 milionë paund në javë nga një sulm i DragonForce, ndërsa Co-op konfirmoi vjedhjen e të dhënave personale të 6.5 milionë anëtarëve.
Shefi i Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike, Richard Horne, paralajmëroi se bizneset duhet të forcojnë mbrojtjen. Më shumë se 80% e shkeljeve të të dhënave lidhen me kredenciale të komprometuara, dhe kostoja mesatare e një sulmi kibernetik në MB është rritur në £3.58 milion. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë veçanërisht të prekura— 56% e sulmeve në 2024 synuan biznese me më pak se 50 punonjës.
Grupi Akira, i krijuar në mars 2023, ka goditur mbi 250 organizata dhe ka fituar rreth 42 milionë dollarë nga shpërblimet. Ekspertët theksojnë rëndësinë e përdorimit të fjalëkalimeve të forta, pasi shumica e fjalëkalimeve të zakonshme thyhen për më pak se një sekondë.
Mes arrestimeve të fundit në Britani, mesazhi është i qartë: asnjë biznes nuk është imun ndaj kërcënimit të ransomware-it.