Francesco Salicini, një krijues italian dhe drejtues i kanalit në YouTube Once Were Nerd, është nën hetim nga autoritetet italiane për promovim të mundshëm të piraterisë. Ai akuzohet se ka “reklamuar” pajisjet Anbernic, një konsolë e vogël ku mund të luhen lojëra retro klasikë të Nintendo dhe Sony. Këto pajisje shpesh vijnë me karta microSD që përmbajnë qindra lojëra (ROM) të mbrojtura nga të drejtat e autorit — gjë që përbën shkelje ligjore.
Salicini thotë se ka bërë vetëm një review të pajisjes, pa reklamuar përmbajtje të paligjshme. Ai thekson se nuk ka marrë sponsorizime dhe nuk ka vendosur asnjë link për blerjen e kësaj pajisje në videot e tij.
Aktualisht ai po hetohet nën nenin 171 të Ligjit Italian për të Drejtat e Autorit, i cili parashikon deri në €15,000 gjobë dhe 3 vite burg. Guardia di Finanza (Policia Financiare) ka sekuestruar mbi 30 konsola nga markat Anbernic, TrimUI dhe Powkiddy, si dhe telefonin e Salicinit dhe bisedat e tij me prodhuesit.
Hetimi zgjat rreth gjashtë muaj, pas të cilave autoritetet do të vendosin nëse do ta çojnë çështjen për ndjekje penale. Ndërkohë, Salicini rrezikon që platformat e tij online të mbyllen edhe pa prova përfundimtare.
Nuk dihet ende kush e ka ngritur padinë, por Nintendo dhe Sony janë të njohura për mbrojtjen e rreptë të pronësisë intelektuale. Nintendo ka ndërmarrë masa të mëdha kundër emulatorëve si Yuzu dhe Ryujinx.
Rasti nxjerr në pah përplasjen mes industrisë së lojërave dhe entuziastëve të ruajtjes së tyre, që argumentojnë se emulimi është mënyra e vetme për të shpëtuar tituj klasikë ndërsa pajisjet origjinale po dalin jashtë përdorimit.